Përfundoi me sukses Konferenca e X Mbarëkombëtare e Arkivistikës – një edicion jubilar me rëndësi të veçantë!
Sot përmbyllëm punimet e Konferencës së X Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkorganizim me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Ky edicion jubilar merr një domethënie të veçantë, pasi përkon me shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, duke i dhënë kësaj konference një dimension të thellë historik dhe simbolik për zhvillimin e institucionit tonë.
Në ceremoninë e hapjes, fjalë rasti mbajtën z. Bislim Bislimi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, i cili theksoj se ”Përgjatë një dekade, kjo konferencë është konsoliduar si forumi më i rëndëshishëm profesional dhe shkencor i arkivistikes shqiptare duke mbledhur studiues, arkivistë dhe ekspertë nga institucione të ndryshme, të cilët kanë kontribuar me punën dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e saj”, ndërsa znj. Nora Arapi-Krasniqi, Zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit, theksoi se Arkivat janë shtylla e kujtesës institucionale të shtetit dhe burimi mbi të cilin ndërtohen politikat publike dhe studimet shkencore,të pranishmeve me fjalë rasti iu drejtuan edhe z. Auron Rrokaj, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, si dhe z. Mentor Alishani, Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ruajtjes së trashëgimisë dokumentare.
Gjatë konferencës u prezantuan gjithsejt tridhjetë e dy kumtesa shkencore dhe profesionale nga studiues, arkivistë dhe ekspertë të fushës, duke sjellë qasje të reja kërkimore, materiale me vlerë historike dhe reflektime të rëndësishme mbi kujtesën kolektive dhe zhvillimin e arkivistikës në trevat shqiptare.
Ky edicion jubilar konfirmoi edhe një herë se arkivat janë më shumë se institucione të ruajtjes së dokumenteve — ato janë ura të gjalla që lidhin të kaluarën me të ardhmen, përmes dijes, kujtesës dhe identitetit tonë historik.
Falënderim i sinqertë për të gjithë kumtuesit, pjesëmarrësit dhe partnerët institucionalë për kontributin e tyre të çmuar në suksesin e kësaj ngjarjeje.
Mirënjohje e veçantë për Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë organizimit të konferencës.
Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e këtij edicioni jubilar!