Konferenca e X Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të organizohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, e cila do të mbahet në Prizren më 12- 13 qershor 2026.
Konferenca synon të promovojë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e arkivistikës, të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional mbarëkombëtar dhe rajonal, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes, organizimit dhe digjitalizimit të dokumenteve dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, ftojnë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë profesionistët e fushës së arkivistikës që të marrin pjesë në këtë konferencë për të ndarë njohuritë, përvojat dhe idetë që do të kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare dhe institucionale të trojeve shqipfolëse.
Temat e propozuara për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, si dhe me historinë e arkivave dhe institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse.
Përveç arkivistëve të rrjeteve kombëtare arkivore, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet institucioneve që ruajnë dokumente, si dhe atyre që ndërveprojnë me ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike dhe kulturore.
Data të rëndësishme:
- Afati për regjistrimin dhe dorëzimin e abstrakteve: 5 prill 2026
- Njoftimi për pranimin e abstrakteve: 20 prill 2026.
- Data e konferencës: 12- 13 qershor 2026, në Prizren.
Abstraktet duhet të dorëzohen si dokument bashkëngjitur në faqen:
– botime.arkiva.gov.al
https://botime.arkiva.gov.al/auth/login
Gjuha e kumtesave: shqip, anglisht.
Boshti tematik i konferencës:
- Temat e ndërlidhura me arkivistikën
- 75 vjetori i Arkivit të Kosovës
Tema të propozuara:
- Crowdsourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara prej përdoruesit
- Automatizimi i arkivave
- Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave.
- Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit.
- Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin.
- Arkivat në epokën e inteligjencës artificiale.
- Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale.
- Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore përtej kufijve gjeografikë.
- Trashëgimia arkivore e përbashkët, përtej kufijve gjeografikë.
- Rreziku i shfrytëzimit të paligjshëm të dokumenteve historike dhe sfida për mbrojtjen e trashëgimisë dokumentare.
- Etika dhe politikat e qasjes në dokumente.
- Zhvillimi dhe implementimi praktik i parimeve etike në arkivat bashkëkohore.
- Strategjia për ruajtjen e dokumenteve historike dhe përballimi i rreziqeve si (ndryshimet klimaterike dhe sulmet kibernetike).
- Trajnimi arkivor dhe zhvillimi profesional në arkivistikë.
- Promovimi i arkivave dhe vlera e tyre kulturore.
- Roli i arkivave në ruajtjen dhe përdorimin e kujtesës historike, transformimet profesionale dhe sfidat bashkëkohore.
- Sfidat thelbësore me të cilat përballen arkivat në një mjedis digjital.
- Standardizimi dhe e ardhmja e praktikave arkivore.
- Aspekte teknike dhe praktikat bashkëkohore të arkivimit.
(Shënim: temat e propozuara nuk janë tituj të detyruar temash apo artikujsh, as kanë qëllim kufizues, por vetëm sugjerime tematike.)