Dje, në Tiranë, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë (DPA),
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), z. Bislim Bislimi,
u prit në një takim zyrtar, nga Drejtori i Përgjithshëm i DPA të Shqipërisë, z. Ardit Bido. Në
takim u fol për historikun e suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve më të
larta arkivore në shtetet shqiptare, me ç’rast të dy palët ishin të një mendje se, ky nivel i
shkëmbimit, gjithmonë ka qenë një shembull pozitiv për t’u ndjekur edhe nga institucione
tjera të të dy vendeve. Në takim u diskutuan gjerësisht edhe proceset transformuese
organizative dhe investive që po planifikohen, janë në zhvillim apo kanë mbaruar në
institucionet tona respektive dhe që kjo do të krijojë ende më shumë hapësirë për unifikimin
e shërbimit arkivor kombëtar por edhe për transpozimin e modeleve të suksesshme të
punës profesionale të specialistëve të fushës si edhe të ngritjes së aftësisë së përgjithshme
infrastrukturore, teknike, teknologjike që do të siguronin ruajtje afatgjate e me standarde të
pranueshme, të kujtesës sonë dokumentare, intelektuale, historike, kulturore, etj. Kalendari i
ngjarjeve e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet dy arkivave, do të jetë si gjithmonë mjaft i
ngjeshur dhe do të sjellë gjithnjë e më shumë, forma inovative të shpalosjes së pasurisë
sonë arkivore, para studiuesve, institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve tona. Pas
takimit, drejtorët e dy institucioneve, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët, vizituan ambientet
e transformuara të punës së njësive organizative të DPASH si: njësinë e trajnimeve dhe
inspektimit, qendrën e digjitalizimit të materialeve arkivore, sallat e hulumtimit dhe
administrimit të ofrimit të shërbimit online, laboratorin e konservimit dhe restaurimit të
lëndës arkivore, ambientin e punishtes së muzeut arkivor që po ngritet aty pranë ndërtesës
qendrore, hapësirën e amfiteatrit në oborrin e DPASH si dhe vendruajtjet e reja dhe ato të
renovuara të materialeve arkivore në Shkozë të Tiranës. Drejtori i ASHAK, në këtë takim,
ishte i shoqëruar me bashkëpunëtorët/drejtorët e departamenteve profesionale të ASHAK,
znj. Shpresa Mekaj, Drejtoreshë e Departamentit për Politika Zhvillimore në ASHAK, z.
Ruzhdi Panxha, Drejtor i Departamentit për Veprimtari Arkivore, z. Bislim Zogaj, Drejtor i
Departamentit për Arkivat Ndërkomunale dhe znj. Dijana Dushullovci, kryeinspektore në
ASHAK.