Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Fillon “Java e Arkivit të Hapur”

Sot u shënua fillimi i “Javës së Arkivit të Hapur”, një ngjarje e rëndësishme për promovimin e arkivave dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dokumentare. Aktivitetet do të zhvillohen nga 17 deri më 21 mars, duke hapur dyert e Agjencisë Shtetërore të Arkivave për studiues, nxënës, studentë dhe qytetarë të interesuar.

Në ceremoninë e hapjes, morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, përfaqësues të institucioneve të tjera të kulturës, punonjës të arkivave, studiues, përfaqësues të mediave dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit /Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, në fjalën e tij prezantoi progresin e jashtëzakonshëm të një viti pune në këtë institucion, duke theksuar disa nga arritjet më të rëndësishme:

Finalizimi i kuadrit ligjor – Pas miratimit të Ligjit për Arkivat, janë hartuar dhe miratuar tetë akte nënligjore, duke e bërë plotësisht të zbatueshëm këtë ligj dhe duke hapur rrugën për një menaxhim më të mirë të materialit arkivor.

Hartimi i Strategjisë Shtetërore të Arkivave 2025-2031 – Dokumenti strategjik, i cili pritet të miratohet së shpejti, do të përcaktojë drejtimin afatgjatë të zhvillimit të arkivave dhe masat konkrete për përmirësimin e administrimit dhe qasjes në materialin arkivor.

Digjitalizimi masiv i dokumenteve – Në vetëm një vit, Arkivi ka kaluar nga një proces i ngadaltë digjitalizimi në një rritje e jashtëzakonshme, duke arritur mbi 5 milionë dokumente të digjitalizuara. Ky progres ka vendosur Kosovën shumë më pranë standardeve të rajonit në këtë fushë.

Lansimi i Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Materialit Arkivor – Ky sistem i avancuar do të lehtësojë ndjeshëm qasjen në dokumentet e digjitalizuara dhe do të sigurojë një administrim më efikas të materialit arkivor, duke e sjellë Kosovën në hap me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Investime në infrastrukturën arkivore – Janë realizuar dhe po vazhdojnë projektet e renovimit dhe zgjerimit të hapësirave arkivore në disa qytete të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin dhe Gjilanin, ku së shpejti do të ndërtohet një ndërtesë moderne për Arkivin Ndërkomunal. Përveç kësaj, janë krijuar kushte më të mira në Arkivin Qendror, duke përfshirë hapësira të reja për restaurim, hulumtim dhe digjitalizim.

Shërbime më të lehta për qytetarët – Falë bashkëpunimit me Postën e Kosovës, tashmë qytetarët mund të marrin shërbime arkivore në 145 zyra postare anembanë vendit, duke lehtësuar ndjeshëm procesin e pajisjes me dokumente për nevoja sociale dhe juridike.

Një tjetër sukses i rëndësishëm është rikthimi nën kontroll të ligjshëm të materialeve arkivore nga komunat në veri të vendit, të cilat më parë mbaheshin nga struktura ilegale të financuara nga Serbia.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti vlerësoi progresin e bërë në sistemin arkivor dhe angazhimin e qeverisë në këtë drejtim:

“Arkivat janë gardianë të trashëgimisë dokumentare. Ato mbajnë historinë, kujtesën dhe identitetin tonë kombëtar. Përmes investimeve dhe reformave, po i kthejmë arkivave vëmendjen dhe dinjitetin që meritojnë.”

Përveç këtyre, Kryeministri veçoi dy momente të rëndësishme: rikthimin e materialit arkivor nga veriu nën kontroll shtetëror dhe shtrirjen e shërbimeve arkivore në të gjithë Kosovën përmes Postës së Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës së parë të Javës së Arkivit të Hapur, Arkivi priti për vizitë nxënësit e shkollave “7 Shtatori” dhe “Xhavit Ahmeti”. Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të njihen nga afër me punën e arkivave, të shohin dokumente historike dhe të mësojnë mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dokumentare.

Java e Arkivit do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme përgjatë gjithë javës, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e arkivave në shoqëri.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors