Më 1 dhe 2 shtator 2025, zyrtarë të ASHAK morëm pjesë në konferencën ndërkombëtare Digitise.Transform.Inspire (DTI 2025) që u mbajt në Vjenë.
Konferenca, e organizuar nga FamilySearch (US), ICARUS (EU) dhe READ-COOP/Transkribus (EU), mblodhi ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar inovacionet më të fundit në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore.
Gjatë dy ditëve të punimeve u trajtuan çështje me rëndësi të madhe profesionale, si ndërtimi i hapësirave të të dhënave për trashëgiminë kulturore dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Një vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të robotikës dhe inteligjencës artificiale në arkiva e gjenealogji, si dhe sfidave të ruajtjes afatgjatë të të dhënave në epokën digjitale. Po ashtu, u prezantua vizioni i projektit ndërkombëtar Time Machine, i cili synon të lidhë historinë dhe teknologjinë përmes platformave inovative kërkimore.
Më 2 shtator u realizua vizitë në Arkivin Shtetëror të Austrisë, ku patëm rastin të njihemi nga afër me praktikat e tyre profesionale dhe me disa prej thesareve më të çmuara arkivore europiane.
Konferenca dëshmoi se dixhitalizimi, transformimi dhe frymëzimi janë çelës për të ardhmen e arkivave dhe për fuqizimin e rolit të tyre në shoqërinë e dijes.