më 26 nëntor 2025, në Hollin e Ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me rastin e Festës së Flamurit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës hapi ekspozitën “Koha e shndërrimit: Kosova 1968–1981: dokumente dhe dëshmi”.
Hapjen e ekspozitës e bëri U.D Drejtori Ekvekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Bekim Aliu, i cili theksoi rëndësinë e kësaj dekade dhe fuqinë e dokumenteve që, siç u shpreh ai, “na ndihmojnë ta shohim veten më qartë”.
Ekspozita u nderua me praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili përgëzoi ASHAK për punën e palodhshme dhe theksoi se vitet 1968 dhe 1981 janë “vite kyçe e shndërruese në historinë tonë politike e kombëtare”, ngjarje prej nga lindi një gjeneratë e re aktivistësh që shprehën guximin dhe idealet e kohës.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Blerina Gaxha-Rugova.
Kjo ekspozitë pasqyron një periudhë të thellë ndryshimesh shoqërore, politike dhe kulturore, ku qytetarët e Kosovës artikuluan aspiratat e tyre për barazi, dinjitet dhe identitet kombëtar. Ajo sjell në vëmendje dokumente të pahapura më parë, materiale arkivore, dëshmi të rralla dhe fotografi që ndriçojnë transformimet që e karakterizuan vendin në vitet 1968–1981.