Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

75-vjetori i themelimit të Arkivit të Kosovës

Në kuadër të shënimit të 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës u organizuan një sërë aktivitetesh të rëndësishme, me fokus në promovimin e trashëgimisë dokumentare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Jubileu filloi me mbajtjen e tryezës së rrumbullakët me temën:

“Trashëgimia dokumentare përtej kufijve: bashkëpunimi ndërkombëtar arkivor – sfidat e kohës”, e cila u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, z. Bislim Bislimi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin dhe konsolidimin e sistemit arkivor në Kosovë.

Një moment i veçantë ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Arkivin Kombëtar të Hungarisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare.

Përfaqësues nga arkivat e vendeve partnere uruan Agjencinë për këtë jubile dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.

Në kuadër të këtij jubileu, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u zhvilluan:

Hapja e ekspozitës

“Veprimtaritë arsimore në Kosovë gjatë periudhës osmane, përmes dokumenteve arkivore”, në bashkëorganizim me Drejtorinë e Arkivit Shtetëror të Presidencës së Republikës së Turqisë si dhe Prezantimi i librit“Vakëfet në Sanxhakun e Nishit gjatë Perandorisë Osmane”.

Bekim Aliu, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, theksoi se bashkëpunimi me arkivat e Turqisë ka rezultuar me sigurimin e mbi 100 mijë dokumenteve arkivore me vlerë të veçantë historike për Kosovën, si dhe ka mundësuar botimin e veprave të rëndësishme shkencore.

Të pranishmëve iu drejtua edhe ambasadori i Turqisë, Sabri Tunc Angılı, i cili theksoi se njohja e vetvetes vjen përmes dokumenteve dhe historisë.

Akademia solemne u nderua me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe ndërkombëtare. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi:

“Për shtatë dekada e gjysmë arkivat kanë qenë më shumë se një institucion – ato kanë qenë mbrojtës të së vërtetës historike dhe të identitetit tonë kombëtar e shtetëror.”

Në këtë ceremoni u drejtuan me fjalë rasti përfaqësues të arkivave nga Shqipëria, Turqia, Hungaria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare ICARUS dhe FamilySearch, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe duke uruar përvjetorin e rëndësishëm.

Gjatë Akademisë u shfaq dokumentari “75 vjet Arkivi i Kosovës – dokument, kujtesë, histori”, ndërsa mbrëmjen e bëri edhe më madhështore performanca e Kuartetit Harkor të Filharmonisë së Kosovës.

Këto aktivitete dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Arkivit të Kosovës në ruajtjen, promovimin dhe ndërkombëtarizimin e trashëgimisë sonë dokumentare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors