Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

73 Vjetët e Arkivit në Kosovë

Saktësisht me 20 mars 1951, këtu e 73 vjet më parë, Arkivi i Kosovës, nisi funksionimin e vet si entitet organizativ autonom/institucion qendror i Kosovës së atëhershme, derisa, tre (3) vite më parë, më 1948, veçse ishte themeluar Qendra Arkivore në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë.

Arkivi vazhdoi rrugëtimin e tij duke avancuar hap pas hapi proceset e mbledhjes së pasurisë arkivore, zhvillimin e metodave të përpunimit dhe rregullimit, zhvillimin në numër dhe në ekspertizë të strukturës profesionale dhe administrative. Ky zhvillim u hovëzua ndjeshëm pas vitit 1968, kur fuqizohet pozita politike e juridike e Kosovës së atëhershme në kuadër të njësive federale të Ish – Jugosllavisë.

Zhvillimi infrastrukturor i kushteve të punës së Arkivit, shënon kulmin me projektimin dhe ndërtimin e ndërtesës qendrore të Arkivit, ndërmjet viteve 1972 dhe 1976. Në këtë ndërtesë, sot ushtron veprimtarinë Agjencia e Arkivave, një ndërtesë mjaft mirë të konceptuar dhe e zhvilluar për të krijuar kushtet optimale të punës së Arkivit atëbotë, por që, tashmë ka ardhur kooha të renovohet dhe mirëmbahet në përputhje me standardet e kohës.

Në periudhën e vendosjes së masave të dhunshme të pushtetit diskriminues të Serbisë, kemi periudhen fillimit të degradimit organizativ dhe profesional të Arkivit, me largimin nga puna të një pjese të profesionistëve shqiptar dhe me ndërprerjen e veprimtarisë arkivore gjithëpërfshirëse jo diskriminuese, sikurse përcaktojnë konventet dhe instrumentet ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat dhe obligimet e shteteve demokratike të botës, përkitazi me parimet e organizimit të veprimtarisë arkivore.

Dëmtimi/fragmentimi i fondeve arkivore, në këtë periudhë shënon kulmin e vet me marrjen përkatësisht grabitjen nga Serbia, të fondit të reformës agrare (e zbatuar vecanerisht pas ripushtimit të Kosovës në vitin 1918) me qëllim të kolonizimit të territorit të Kosovës përkatësisht përpjekjeve të organizuara, për të ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Ky fond tashmë vetëm pjesërisht gjendet në Arkivin Qendor të ASHAK, ngase pjesa më e madhe, është tërhequr nga Arkivi për në Beograd, në vitin 1991 duke mos u kthyer më.

Sot, fusha e arkivave në Kosovë, drejtohet dhe kontrollohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) e cila është suksesore e të gjitha formave të organizimit të Arkivit nga viti 1951 dhe e cila, po bën përpjekjet maksimale për të transformuar dhe modernizuar, në përputhje me trendet e kohës, veprimtarinë arkivore në Republikën e Kosovës. Agjencia ka një staf profesional që ka trashëguar mjaftë mirë dijet profesionale të grumbulluara për një kohë të gjatë të një prej institucioneve më jetëgjata në Kosovë, trashëgimi kjo që duhet ruajtuar, zhvilluar e transmetuar në të ardhmen, në përputhje me rrethanat e reja në kushtet e teknologjisë.

Sfidë mbetet niveli jo i kënaqshëm i investimeve të realizuara deri më tani në gjithë rrjetin arkivor, që flet për një nevojë kritike të rritjes së investimeve në listën e prioriteteve të Qeverisë për arkivat por edhe rritjen e bashkëpunimit serioz me komunat dhe institucionet tjera me ASHAK, në trajtimin e materialit arkivor të padorëzuar dhe të parregulluar etj.

Në shënimin e përvjetorit të themelimit të Arkivit, ASHAK organizon çdo vit, “Javen e Arkivit të Hapur”, e cila ka për qëllim që të ftojë qytetarët e interesuar, studiuesit, nxënësit, studentët dhe pedagogët, të vijnë në hapësirat e Arkivit dhe të shohin për së afërmi të gjithë ciklin e administrimit dhe trajtimit të materialit arkivor që nga pranimi, deponimi në vendruajtje, restaurimi i materialit kur ai është i dëmtuar (shërimi), digjitalizimi dhe shërbimi i këtij materiali për shfrytëzim nga palët/qytetarët për nevojat e tyre sociale dhe juridike si dhe për nevoja hulumtuese për studiuesit e shkenctarët. Si gjithnjë, janë nxënësit e shkollave tona, audience më dinamike dhe më impresionuese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors