Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, sot përuruan librin “Programi dhe Statuti i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” të autorit Adem Demaçi. Ceremonia u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, në kuadër të shënimit të 60-vjetorit të krijimit të kësaj vepre, si dhe në prag të festave të nëntorit:
-Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë,
-Daljes Publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe
-Ditëlindjes së Kryekomandantit Adem Jashari.
Ky botim, i përkrahur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, është dëshmi e përkushtimit të institucioneve për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare të personaliteteve e organizatave të aktivizmit për liri.
Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, z. Bislim Bislimi, e cilësoi këtë botim si një nga veprat më të rëndësishme të ekspozimit të aktivitetit të LRBSH dhe Adem Demaçit me e përmes dokumenteve arkivore. Gjithashtu ai vlerësoi lartë edhe punën e palodhshme të Arkivave të Kosovës për grumbullimin, ruajtjen dhe sistemimin e dokumenteve të veprimtarisë së shumë prej aktivistëve sikurse kjo e Demaçit në këtë rast, duke e quajtur këtë vepër një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm.
Profesori Ibrahim Gashi, në një fjalë rasti, theksoi se “Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” trajtonte tema themelore si ruajtja e identitetit kombëtar, çlirimi dhe bashkimi territorial, krijimi i një tregu të përbashkët dhe promovimi i një gjuhe letrare, të gjitha këto si bazë për forcimin shpirtëror dhe kulturor të kombit.
Ndërkohë, z. Agim Zogaj vlerësoi lart kontributin e Adem Demaçit në frymëzimin e brezave për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë kombëtare shqiptare.
Në përmbyllje, z. Selatin Novosella, i cili ka bërë përmbledhjen e kësaj vepre, e veçoi këtë vepër për arsyen se Programi dhe Statuti janë të botuara në dorëshkrim original të Demaçit dhe e cilësoi vepren si një testament të fuqishëm të vizionit të Demaçit.
“Programi dhe Statuti i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” mbetet një dëshmi e qartë e idealit të Adem Demaçit për lirinë dhe bashkimin kombëtar, si dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm në ruajtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare.