Data: 15 qershor
Vendi: Shën Mitër (San Demetrio Corone), Kozenca, Kalabri, Itali.
Afati i pranimit të kumtesave përfundon më 10 prill 2025.
Pas konferencave të zhvilluara në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Sarandë, Tuz, Boletin, Manastir dhe Elbasan, arkivistët nga të gjitha trevat do të mblidhen këtë herë në Kalabri, në Komunën e Shën Mitrit (San Demetrio Corone), provinca e Kozencës në datën 15 qershor.
Ky aktivitet organizohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Komuna e Shën Mitrit.
Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse, të arkivave të rajonit dhe jo vetëm, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, dixhitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme. Gjithashtu një panel i veçantë në konferencë do t’i përkasë studiuesve të cilët do të paraqiten me tema që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë dhe kulturën e arbëreshëve.
Me këtë rast Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Komuna Shën Mitër, ftojnë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe propozimet e tyre.
Temat që propozohen për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse.
Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.
Boshti tematik i konferencës:
– Arkivistika
– Gjuha, historia dhe kultura arbëreshe.
Tema të propozuara:
– Crowdsourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara prej përdoruesit
– Automatizimi i arkivave
– Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave
– Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit
– Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin
– Arkivat në epokën e inteligjencës artificiale
– Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale
– Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore
– Trashëgimia arkivore e përbashkët, përtej kufijve gjeografikë
– Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare
– Etika dhe arkivat
– Arkivat dhe ndryshimet klimaterike
– Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional
– Turizmi dhe promovimi i arkivave
(Shënim: temat e propozuara nuk janë tituj të detyruar temash apo artikujsh, as kanë qëllim kufizues, por vetëm sugjerime tematike.)
Abstraktet pranohen deri më datë 10 prill 2025 në gjuhët shqip dhe anglisht duke aplikuar në botime.arkiva.gov.al .
Për më shumë informacion shikoni njoftimin ne faqet web të DPA www.arkiva.gov.al dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ashak.rks-gov.net
Gjuha e kumtesave: shqip, italisht, anglisht.