Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Ekspozita “Vdes kur dua vet”

“Vdes kur dua vet”, e cituar fjalëpërfjalshëm nga Adem Demaçi, ishte titulli i ekspozitës së Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), që u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ekspozitën e hapi Drejtori Ekzekutiv i ASHAK, Bislim Bislimi, i cili, në fjalën e tij tha se me këtë ekspozitë, përmes materialeve të përzgjedhura arkivore, paraqitet në mënyrë të përmbledhur e një tërësie faktesh dokumentare të krijimtarisë letrare dhe veprimtarisë patriotike, të Heroit të Kombit Adem Demaçi të cilat ai i sinkronizonte gjithmonë në shërbim të interesit kombëtar dhe avancimit të kërkesave bazike për liri e bashkim.

“Në këtë material kemi mundësinë të shohim dokumentacion burimor arkivor që ekspozon fillet e veprimtarisë patriotike por edhe krijuese të Adem Demaçit, tregime, dorëshkrime të shkruara jashtë burgut, pjesë të botuara për herë të parë të romaneve e dorëshkrime të mbetura në gjysmë, disa të shkruara në burgjet ku Adem Demaçi vuante dënimet e tij të njëpasnjëshme etj. Të rëndësisë së veçantë historike dhe që ne do të shohim në këtë material, janë edhe pjesë të rëndësishme të dosjeve të procedurave penale ndaj Adem Demaçit, ku përfshihen aktet e procedurës hetimore, ankesat, ekspertizat, vendimet e masave të sigurimit, procesverbalet e bastisjeve dhe marrjes në pyetje, raportet e provave, aktakuzat, aktgjykimet, etj. Në procedurë penale, manifestohet në mënyrën më konkrete karakteri i një shteti në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut duke qenë se në këtë pikë shteti e definon praktikisht raportin e tij me vlerat thelbësore të njeriut sikurse janë liria dhe dinjiteti i tij. Adem Demaçi, duke qenë një aktivist virtuoz i çështjes kombëtare, i mishëruar mirë me parimet e dijet universale, e vetofron vetën e tij në shërbim të ekspozimit praktik të karakterit shovenist të një shteti që dënonte njerëzit përse mendojnë, shkruajnë e flasin për liritë dhe të drejtat individuale e kolektive. Madje, ai, këtë e përjetonte si një fitore të tij përballë një shteti të tërë që, i mbushur me urrejtje, sa më shumë e ndëshkonte shkrimtarin e aktivistin e pa bindur, nuk po e kuptonte se po e shkruante aktakuzën e tij. E një rëndësie poashtu thelbësore në këtë material, janë edhe Statuti dhe Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, shtoi ai.

Në ekspozitë, fjalën e mori edhe bashkëveprimtari i Adem Demaçit, njëherit ish i burgosur politik, Selatin Novosella, që nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve që bashkojnë personalitete e institucione rreth jetës dhe veprës së Adem Demaçit, duke bërë thirrje për më shumë punë në drejtim të hulumtimit e ndriçimit të veprimtarisë komplekse si dhe ndikimit të jashtëzakonshëm të veprës së Demaçit në arritjet e objektivave kombëtare. Ai përgëzoi ASHAK –në për organizimin e ekspozitës duke theksuar se kjo është vetëm një detyrë bazike e institucioneve tona publike kundrejt veprës madhore të Demaçit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 26.02.2024, datë kjo që përkon edhe me ditëlindjen e Heroit Adem Demaçi, ndërkohë që është aktivitet zyrtar në kuadër të programit shtetëror për shënimin e përvjetorit të 16’të të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors