Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prezantuan sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë ekspozitën e veçantë “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë”.
Ekspozita shfaqi dorëshkrime unike nga krijimtaria e shkrimtarit të madh, duke përfshirë fragmente nga romanet e tij më të njohura, dokumente personale dhe vlerësime të larta ndërkombëtare e kombëtare që Kadare kishte marrë gjatë jetës së tij.
Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kultures/Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Bislim Bislimi theksoi rëndësinë e Kadaresë si mbrojtës të lirisë dhe identitetit shqiptar, duke e cilësuar trashëgiminë e tij si një pasuri kombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë Ardit Bido vlerësoi bujarinë e familjes Kadare për dhurimin e dorëshkrimeve dhe theksoi rëndësinë e tyre për ndriçimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Blerina Rogova Gaxha- drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare e cilësoi ekspozitën si një pasqyrë unike të procesit krijues të Kadaresë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e dorëshkrimeve të tij si trashëgimi e vyer për letërsinë moderne shqiptare.
Ky event vlerësoi kontributin e Ismail Kadaresë në letërsi dhe rolin e tij në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë së tij si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.