Sot, në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , u hap ekspozita “Personalitetet e Kosovës në qeveritë e Shqipërisë (1920–1944)”, një bashkëpunim i rëndësishëm ndërinstitucional ndërmjet Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë.
Ekspozitën e hapi u.d. Drejtori Ekzekutiv i ASHAK, z. Bekim Aliu, ndërsa fjalë rasti mbajti Drejtori i Drejtorisë së Arkivave Vendore pranë DPA-së së Shqipërisë, z. Lorenc Agalliu.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin:
Ministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci, e cila e vlerësoi lart ekspozitën dhe përgëzoi institucionet për bashkëpunimin, duke uruar suksese të mëtutjeshme;
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, z. Bislim Bislimi;
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha;
Përfaqësues institucionesh, studiues dhe dashamirës të trashëgimisë.
Në fjalën e tij hapëse, drejtori Bekim Aliu theksoi se kjo ekspozitë sjell para publikut një përzgjedhje të rëndësishme dokumentesh arkivore që dëshmojnë rolin e personaliteteve të Kosovës në jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë gjatë periudhës 1920–1944. Ai nënvizoi se historia ndërtohet mbi burime të verifikueshme – letra, dekrete, promemorie, lista zyrtare, qarkore dhe fotografi – që e bëjnë të kaluarën të prekshme dhe të lexueshme.
Në qendër të ekspozitës qëndron figura e Hasan Prishtina, krahas veprimtarisë së Hoxhë Kadri Prishtina, Salih Vuçitërna, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Ceno beg Kryeziu dhe Xhafer Deva — personalitete që përmes angazhimit të tyre politik, juridik, diplomatik dhe administrativ lanë gjurmë në institucionet shtetërore shqiptare.
Drejtori Aliu theksoi se arkivat janë gardianë të kujtesës kolektive, institucione ku koha depoziton gjurmët e saj dhe ku dokumenti mbetet themeli i interpretimit të ndershëm historik. Ai shtoi se ruajtja, përpunimi dhe digjitalizimi i dokumenteve është një detyrë ndaj brezave dhe ndaj së vërtetës historike.
Ndërkaq, drejtori Lorenc Agalliu vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve arkivore si një model të suksesshëm të partneritetit profesional. Ai theksoi rëndësinë e ndriçimit të figurave historike përmes dokumenteve autentike dhe rolin që arkivat kanë në forcimin e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Sipas tij, kjo ekspozitë dëshmon se historia nuk është thjesht rrëfim, por përgjegjësi ndaj burimit dhe faktit.
Të dy drejtuesit theksuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve arkivore të Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të ruajtjes, përpunimit dhe promovimit të trashëgimisë sonë të përbashkët dokumentare.
Kjo ekspozitë mbetet një ftesë për t’iu kthyer burimeve, për ta kuptuar historinë me përgjegjësi dhe për ta vlerësuar arkivin si themelin e kujtesës sonë kombëtare.