Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Hapja e ekspozitës “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”

Sot, më 11 qershor 2025, në Hollin e Ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, u hap ekspozita e përbashkët “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”, e organizuar me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Ekspozita është realizuar nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me katër institucione: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK), Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës (MKK).

Hapjen e ekspozitës e bëri me një fjalë rasti drejtoresha e BKK-së, znj. Blerina Gaxha-Rugova. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe drejtuesit e institucioneve bashkëorganizatore: z. Mehmed Xhemajli, drejtor ekzekutiv i ASHAK; z. Atdhe Hetemi, drejtor i përgjithshëm i IKKL; dhe znj. Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ekspozita u nderua me praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Kosovë, përfshirë ambasadorë dhe diplomatë të huaj, të cilët me prezencën e tyre edhe njëherë dëshmuan respektin dhe përkrahjen e vazhdueshme për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Të gjithë drejtuesit e institucionve në fjalën e tyre theksuan se kjo  ekspozitë paraqet një homazh të denjë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe shtetësi. Lufta e fundit në Kosovë ishte një periudhë e rëndë dhe vendimtare, e shënuar nga vuajtje të mëdha, dëbime masive, shkatërrime të pasurisë materiale dhe kulturore, si dhe trauma të thella kolektive. Megjithatë, qëndresa, vendosmëria dhe sakrifica e UÇK-së dhe e popullit i hapën rrugë çlirimit dhe pavarësimit të vendit.  Të gjithë folësit gjatë hapjes së ekspozitës theksuan me njëzë se ndihma dhe përkrahja e miqve ndërkombëtarë – veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të NATO-s dhe aleatëve tjerë demokratikë – ishte vendimtare për ndalimin e spastrimit etnik dhe për çlirimin e Kosovës. Kontributi i bashkësisë ndërkombëtare, u tha, mbetet i pashlyeshëm në ndërgjegjen kolektive të popullit të Kosovës dhe përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të re.

Në kuadër të ekspozitës u prezantuan:

  • Libra, monografi dhe periodikë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës;
  • Dokumente, fotografi dhe materiale audiovizive nga arkiva e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë;
  • Dokumente historike nga fondet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës;
  • Eksponate muzeale nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Për të gjithë të interesuarit ekspozita do të jetë e hapur për një muaj në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors