Sot përmbyllëm me sukses “Javën e Arkivit të Hapur”, duke e dedikuar ditën e fundit hulumtuesve dhe studiuesve. Fokusimi ishte në qasjen dhe përdorimin e burimeve arkivore, me një tryezë diskutimi që trajtoi tema kyçe si:
Si të kërkojmë dhe të përdorim burimet arkivore sipas rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi – një udhëzues praktik për studiuesit mbi mënyrën e duhur të hulumtimit në arkiva, respektimin e procedurave dhe legjislacionin që rregullon përdorimin e dokumenteve arkivore.
Prezantimi i rezultateve të pranimit të kërkesave për hulumtim në tri vitet e fundit – një analizë e numrit të kërkesave të paraqitura nga studiuesit dhe fushat e tyre kryesore të interesit.
Roli i arkivave në ruajtjen e së vërtetës historike – një diskutim mbi rëndësinë e dokumenteve arkivore në pasqyrimin e saktë të historisë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Përveç tryezës së diskutimit, edhe sot dyert e arkivit ishin të hapura për vizitorët.
Në këtë ditë përmbyllëse, nxënësit e shkollave fillore nga kryeqyteti “Hasan Prishtina”, “Pavarësia” , “Meto Bajraktari” , “7 Marsi” dhe “Pjetër Bogdani” vizituan ambientet e arkivit, duke u njohur nga afër me proceset e ruajtjes dhe administrimit të dokumenteve historike.
Pas pesë ditësh intensive me aktivitete dhe vizita, kjo javë solli:
Në total rreth 1,400 nxënës,studentë, mësimdhënës dhe qytetarë të interesuar, të cilët patën mundësinë të njohin nga afër proceset e punës dhe rëndësinë e arkivave në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike.
580 vizitorë vetëm në ditën përmbyllëse– një rekord i ri për këtë edicion.
Punëtori dhe diskutime mbi digjitalizimin, menaxhimin elektronik të dokumenteve dhe restaurimin arkivor.
Sesione edukative për nxënësit dhe studentët, duke afruar publikun me arkivat dhe rëndësinë e tyre
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për kontributin dhe interesimin!
Me këtë përmbyllet një javë e suksesshme e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e arkivave dhe ruajtjen e trashëgimisë dokumentare.